Një zgjidhje e vogël, e lindur nga praktika e përditshme
Drilon Bio Humus lindi nga një problem që e shohim çdo ditë përreth nesh.
Driloni është një nga zonat turistike më të vizituara në Pogradec. Bashkë me rritjen e turizmit dhe të aktivitetit të restoranteve, është rritur edhe sasia e mbetjeve organike që prodhohen çdo ditë. Mbetjet e kuzhinës përfundojnë kryesisht në kontejnerët e mbetjeve të përgjithshme, ndërsa një sasi e konsiderueshme gjethesh dhe mbetjesh të gjelbra largohet ose përfundon në ujë.
Në Vila ART e kemi trajtuar këtë problem në mënyrën tonë. Prej një kohe ndajmë një pjesë të mbetjeve organike të kuzhinës dhe përdorim gjethet dhe mbetjet e gjelbra për të prodhuar kompost, të cilin e kthejmë në tokë për të ushqyer lulet dhe pemët që kultivojmë.
Ishte një zgjidhje e vogël, e lindur nga praktika e përditshme, por rezultatet na treguan se mund të bëjmë më shumë.
Kështu lindi Drilon Bio Humus: ideja e transformimit të kësaj eksperience individuale në një model të organizuar, në të cilin mbetjet organike të restoranteve dhe mbetjet e gjelbra të zonës nuk shihen më thjesht si mbeturina, por si një burim me vlerë.
Qëllimi ynë është t’i mbledhim dhe t’i përpunojmë këto materiale përmes kompostimit dhe vermikompostimit, duke i kthyer në natyrë në formën e Bio Humusit dhe plehut organik të lëngshëm.
Nga Driloni, kthehet në tokë. Nga mbetja, në produkt me vlerë.
Tre produkte, një burim
Bio Humus
Pleh organik 10 kg
Vermicompost
Vermikompost i koncentruar 2 L